Kryetarit të Degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Halitit, i është bërë pritje nga rinia pejane, të mërkurën mbrëma.
Rinia që kishte organizuar këtë pritje për nder të Halitit kanë shprehur gatishmëri si kurrë më parë për ta përkrahë kandidaturën e tij për deputet.
Gjatë bashkëbisedimit me rininë, Haliti u ka thënë atyre së Partia Demokratike e Kosovës i ka vënë në radhë të parë rininë, u ka krijuar hapësirë qoftë në listën zgjedhore për organin përfaqësues, Kuvendin, po ashtu edhe në qeveri.
Sipas Halitit, rina përbën energjinë dhe pjesën më vitale të partisë dhe të Kosovës, në mesin e tyre e gjen edhe vetveten e ditëve të angazhimit të hershëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e sheh në sytë e tyre energjinë dhe perspektiven për shtet-ndërtimin e Kosovës.
Ndërsa, të rinjtë që morën fjalën shprehen admirim për aktivitetin e hershëm të Halitit, si simbol dhe frymëzim për brezin e ri se si duhet atdheu. Ata u zotuan në mbështetje të fuqishme për të parin e degës së PDK-së së Pejës, sepse, sipas tyre kuvendit i duhet figura e Halitit, për maturinë permanente të dëshmuar, përvojës së gjatë dhe lidhjet ndërkombëtare.
Në këtë takim pos Halitit, pjesëmarrës ishin edhe kandidatët tjerë të Pejës.