Site icon Telegrafi

Xhavit Haliti: Me fitoren e PDK-së do të jetësohet projekti i rimëkëmbjes së Kosovës

Nënkryetari PDK-së, Xhavit Haliti, në mbrëmjen e së martës ka ndaluar në Loxhë, për të takuar banorët e bashkësisë lokale, Loxhë, Llozhan e Graboc, për të prezantuar programin e rimëkëmbjes së Kosovës, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Gjatë prezantimit të programit të PDK-së për këto zgjedhje, Haliti ka thënë se një program si ky i rimëkëmbjes do të prekë në çdo familje të bashkësisë lokale, të dalluar si njerëz të vyer e punëtorë. Rimëkëmbje, sipas tij, nënkupton bujqësi, arsim, shëndetësi e ekonomi më të zhvilluar për të gjithë.

Prandaj, Haliti ka kërkuar nga banorët e këtij regjioni që t’i qëndrojnë besnik vizionit të PDK-së dhe lidershipit të saj, ku si garancë ai ka lënë emrin dhe fjalën e tij, se me fitoren e PDK-së në këto zgjedhje do të jetësohet programi i vetëm e real në këto zgjedhje, projekti i rimëkëmbjes së Kosovës.

Kur Haliti ndalon në Loxhë nuk harron pa kujtuar luftën e luftëtarët e UÇK-së. Kujton rezistencën e sakrificën e luftëtarëve vendas, madje ndjehet i emocionuar kur e sheh të vendosur në sallën e takimit flamurin me emblemën e UÇK-së, të cilën vet e projektoi dhe e jetësoi në teren si projektin më të madh kombëtar, bashkë me shokët e tij të shumtë.

Po ashtu, kur takon banorët lokal, në veçanti të Grabovcit, Haliti nuk harron pa kujtuar birin e tyre, aktivistin e hershëm të çështjes kombëtare e nismëtarit të aksioneve të faljes së gjaqeve, Rexhep Kelmendit. Evokon kujtime të veprimtarisë së përbashkët për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Exit mobile version