Site icon Telegrafi

Xhamitë në Kosovë mbledhin mbi 400 mijë euro për Turqinë

Xhamitë në Kosovë kanë mbledhur 400 mijë e 500 euro si mbështetje financiare për të prekurit nga tërmeti në Turqi.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, gjatë një takimi që ka zhvilluar të mërkurën në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Kosovë. Atje ai është pritur nga ambasadori Tunç Angili.

“Myftiu Tërnava fillimisht i dëshiroi ambasadorit punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e ri. Më pas, në emër të tij dhe në emër të gjithë besimtarëve myslimanë, i shprehu ngushëllime për viktimat e tërmetit që goditi Turqinë disa ditë më parë”, thuhet në komunikatën për media të BIK-ut.

“Ai shprehu dhimbjen dhe solidaritetin e tij me të gjithë të prekurit nga ky tërmet, duke lutur Zotin që të lënduarit t’i shërojë sa më parë, ndërsa të vdekurit, Zoti t’i ketë marrë me mëshirën e tij. Me këtë rast, Myftiu Tërnava, tha se besimtarët tanë, gjatë aksionit që kemi organizuar në të gjitha xhamitë e Kosovës kanë grumbulluar 400,500.00 euro, si mbështetje materiale për të prekurit nga tërmeti, të cilat u transferuan sot në llogarinë bankare të Ambasadës”.

Ndërsa nga ana e tij, ambasadori Angili thuhet se ka falënderuar Myftiun Tërnava për vizitën dhe për solidaritetin e treguar të besimtarëve myslimanë të Kosovës me të prekurit nga tërmeti.

“Ai tha se popullit turk është tejet mirënjohës dhe falënderues ndaj popullit vëlla kosovarë për solidaritetin e treguar me popullin vëlla turk, si dhe për mbështetjen morale, me të cilën kanë dëshmuar vëllazërinë dhe miqësinë e thellë ndërmjet dy popujve”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version