Site icon Telegrafi

Xhamia më e madhë në Maqedoni planifikohet të hapet në vitin 2020

Janë hedhur hapat e parë për ndërtimin e Xhamisë Qendrore të Tophanës në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, e cila do të ndërtohet nga ana e Fondacionit të Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV). Xhamia e cila do të ndërtohet me arkitekturë osmane në Fushë Tophanë të Shkupit, pritet që të përmbushë nevojat për vend të adhurimit për popullsinë e rajonit. ( KOMAŞ AŞ - Anadolu Agency )

Xhamia e Tophanës, më e madhja në Maqedoni, e cila është duke e ndërtuar nga ana e Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare (TDV), pritet të hapet në vitin 2020, njofton Anadolu Agency.

Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, vizitoi vendin ku po ndërtohet xhamia nga ana e kompanisë Komaş A.Ş, që është kompani e TDV-së dhe Dijanetit të Turqisë.

Gjatë vizitës, Kara u shoqërua nga zëvendësambasadori Murat Sümer dhe këshilltari për Shërbime Fetare Murat Alkan, ndërsa u informua nga zyrtarët në lidhje me ndërtimin e xhamisë dhe zhvilloi bisedë me punonjësit.

Siç thuhet në një deklaratë nga Konsulenca e Shërbimeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, xhamia do të ketë kapacitet për 3.500 persona, ndërsa pas përfundimit ajo do të fitojë epitetin xhamia më e madhe në Maqedoni.

Sipas deklaratës, në xhami do të ketë autopark të mbyllur, vend për larjen e kufomave, morg, sallë për pritje, sallë shumëqëllimshe, bibliotekë dhe oda për mbledhje dhe seminare. Të gjitha këto do të përbëjnë një kompleks të vetëm, në të cilin do të gjenden edhe kursi i Kuranit, zyra dhe hapësira tregtare.

Xhamia, objekti kryesor i të cilit do të ketë sipërfaqe prej 2.280 metrash katrorë, do të përfshijë sipërfaqe totale të mbuluar prej 9.997 metrash katrorë, thuhet në deklaratë.

“Xhamia, e cila do të ndërtohet si një reflektim i Xhamisë Mihrimah Sultan në Edirnekapi të Stambollit, do të reflektojë modelin osman me dy minare të larta 48 metra”, thuhet më tej.

Gurthemeli i xhamisë ishte hedhur në shtator të vitit të kaluar, ndërkohë që sipas deklaratës së konsulencës, e njëjta pritet të hapet në muajin Ramazan të vitit 2020.

Exit mobile version