Në objektin më të famshëm fetarë mysliman në Tetovë, Xhamia e Pashës (Xhamia e Larme), sot kanë filluar sërish të praktikohen ritet fetare.
Besimtarët që erdhën në dyert e xhamisë hasën në udhëzime të shkruara për sjellje për shkak të pandemisë, ndërsa kishte pajisje për dezinfektim të duarve dhe maska mbrojtëse për fytyrën.
“Detyrimet që u janë imponuar besimtarëve janë që të vijnë nga shtëpia me sexhaden e tyre (qilim i vogël për namaz), si dhe të marrin abdes në shtëpi, të marrin Kuranin e tyre dhe maskën mbrojtëse për fytyrë”, theksoi Mensur Miftari, kryetar i Këshillit të Xhamisë së Larme.
Në hapësirën për lutje brenda xhamisë, detyrimet për besimtarët janë që të mbajnë distancë, si dhe të përmbahen nga përshëndetja me duar pas lutjes – namazit.
Ndryshe, me vendim të Bashkësisë Fetare Islame sot janë hapur xhamitë për besimtarët, ndërsa të njëjtat u mbyllën më 17 mars për shkak të situatës me coronavirusin./Telegrafi/