Anëtarët e grupit punues të Qeverisë së Kosovës për bisedimet me Qeverinë e Serbisë në Bruksel, Edita Tahiri, Arben Çitaku dhe Rashid Çalaj, kanë qëndruar të mërkurën në Mitrovicë.
Ata janë pritur nga kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, me të cilin kanë biseduar për situatën e sigurisë në qytetin e Mitrovicës, me theks të posaçëm në rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, kufijtë administrativ midis dy komunave të Mitrovicës, si dhe rindërtimin e Xhëmisë së Ibrit në cepin verior të urës kryesore mbi këtë lumë.
Sa i përket realizimit të projektit për rivitalizimin e urës kryesore mbi Ibër, ministrja Tahiri tha se ka sinjale të mira nga Brukseli se ky premtim do të nis së realizuari gjatë ditëve të ardhme.
“Meqë marrëveshja për rivitalizmin e urës është një marrëveshje trepalëshe, pra në mes të BE-së autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, realizimi i saj kërkon përkushtimin dhe angazhimin e sinqertë të të gjitha palëve.
Deri tash Serbia ka qenë bllokuese e aktiviteteve në këtë drejtim, por unë shpresoj se kjo çështje do të zgjidhet dhe pres lajme të mira nga Brukseli”, tha ajo.
Sipas saj, çështja e rivitalizimit të urës dhe çështja e përcaktimit të kufijve administrativ midis dy komunave, në pjesën jugore dhe asaj veriore, nuk duhet të ndërlidhen, sepse ato janë dy çështje të ndara.
“Fatmirësisht, ne bashkë me kryetarin Bahtiri kemi arritur që ndërkombëtarët të binden në këtë dhe ata e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre, se kufijtë ndërmjet dy komunave janë përcaktuar me pakon e Presidentit Ahtisari, andaj edhe rreth kësaj çështje nuk do të ketë më bisedime”, ka thënë Tahiri.
Lidhur me kërkesën e Bashkësisë Islame për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit në cepin verior të urës, ministrja Tahiri tha se kjo është një e drejtë që nuk mund të mohoj askush, prandaj edhe është e bindur se shumë shpejtë do të vij koha kur edhe do të filloj rindërtimi i saj.
Mirëpo, shtoi ajo, në këtë moment ne duhet të jemi të fokusuar së pari për realizimin e marrëveshjes për rivitalizimin e urës, në mënyrë që ajo të hapet sa më shpejt për lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve dhe në të dyja drejtimet, gjë që do të lehtësonte pastaj edhe procesin e rindërtimit të xhamisë aty ku ka qenë.
Pas diskutimeve të gjata lidhur me këtë çështje, ku në ndërkohë u përfshi edhe kryemami i Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Mulla Asllan Murati, të pranishmit u pajtuan që përpjekjet për rindërtimin e xhamisë të fillojnë pasi që të realizohet marrëveshja për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe pasi që ajo të lëshohet për lëvizje e qarkullim të lirë të qytetarëve dhe automjeteve. /