Ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, së fundi ka nxitur debat publik, përfshirë edhe protesta.
Zyrtarë të BIK-ut në vazhdimësi kanë ripërsëritur domosdoshmërinë e kësaj xhamie, që do të përmbushte kërkesat e besimtarëve.
Për protestën e së mërkurës reagime ka pasur edhe nga liderët e shtetit të Kosovës dhe të partive politike.
Por, pos kësaj, reagim qytetar ka pasur edhe Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë.
Ersen Shileku, në llogarinë e tij në Facebook, ka hedhur akuza ndaj Bashkësisë Islame për gjendjen e tanishme të saj.
Ai ka publikuar fotografi përbrenda xhamisë, ku shihen mbeturina e gjësende të ndryshme, dhe thotë se po përdoret për pisllëqe.
“Asnjë presion nuk është bërë për përfundimin e këtij restaurimi sepse ky objekt shumë kujt i duket i parëndësishëm, e sipas të gjitha gjasave edhe vet praktikuesve”, shkruan Shileku.
Ndërkaq, restaurimi i Xhamisë së Çarshisë është paraparë të përfundonte në vitin 2013, por kjo nuk ka ndodhur.
Që nga ndërprerja e punimeve në vitin 2013 restaurimi dhe konservimi i kësaj xhamie nuk ka rifilluar ende.
Kjo situatë po kontribuon që objekti i Xhamisë së Çarshisë të degradohet.
Xhamia e Çarshisë ose Xhamia e Sulltan Muratit është ndërtuar në vitin 1393 nga Sulltan Bajaziti i I-rë për ta përkujtuar fitoren e forcave osmane dhe Sulltan Muratit në betejën e Kosovës të vitit 1393.
Xhamia fillimisht gjendej përballë Çarshisë së Vjetër e cila u demolua në vitet e 60-ta, prandaj edhe sot mban emërtimin Xhamia e Çarshisë. Kjo është xhamia më e vjetër në qytet dhe mbetet një prej objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore në Prishtinë, njofton Telegrafi.