Në fshatin Brestoc të Rahovecit, ngrihet një nga monumentet më të vjetra të trashëgimisë kulturore në Kosovë, xhamia e ndërtuar së pari në vitin 1478 dhe e rikonstruktuar në 1598.
Për shekuj me radhë, kjo xhami ka shërbyer si një simbol i besimit duke i bërë ballë sfidave të kohës.
Ilhami Orllati nga Fshati Brestoc tregon për Telegrafin se gjatë konfliktit të vitit 1999, forcat serbe e shkatërruan këtë xhami, duke lënë një plagë të hapur në zemrat e komunitetit lokal.
“Ishte më shumë se humbja e një ndërtese, ishte humbja e një pjese të rëndësishme të historisë dhe identitetit të tonë. Megjithatë, në vitin 2017, me iniciativën e banorëve të fshatit dhe nën mbikëqyrjen e Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, xhamia u rinovua”, ka thënë Orllati.
Procesi i restaurimit nuk solli vetëm identifikimin e mureve, por edhe rikthimin e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore për komunitetin.
“Duke respektuar direktivat e Institutit, struktura e xhamisë u ruajt sipas standardeve të reja, për të mos humbur gjurmët e së shkuarës”, u shpreh tutje Orllati për Telegrafin.
Xhamia përbëhet nga dy hyrje: njërën që të çon në paradhomën, e cila dikur shërbente si “mejtep” për mësim, dhe tjetrën në dhomën kryesore të faljes.
Minarja, një relikte që ka mbetur e paprekur, qëndron si dëshmitare e kohëve të kaluara.
Për banorët e Brestocit, kjo xhami është më shumë se një vend adhurimi, është një simbol i qëndrueshmërisë dhe identitetit kulturor. Ajo jo vetëm që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës, por gjithashtu ofron një atraksion të veçantë për turizmin kulturor, duke tërhequr vizitorë të shumtë nga i gjithë rajoni.
Hoxha i parë i kësaj xhamie, Mulla Mustafa nga Peja, kishte vënë themelet e një tradite që vazhdon të jetojë. Me restaurimin e saj, xhamia e Brestocit mbetet një testament i gjallë i forcës dhe vendosmërisë së një komuniteti për të ruajtur trashëgiminë e tij, duke kaluar përtej kufijve të kohës dhe sfidave. /Telegrafi/Korab Basha/