Site icon Telegrafi

Xhamadani pika-pika…

(“Xhamadani pika – pika, mos vallë po bëhemi si Bosnja, me Serbska Republika!”)

Gjatë rrjedhës së furishme të ngjarjeve të këtyre ditëve me embargon për mallra serbe dhe marrjes së pikave kufitare doganore nr. 1 dhe 31, nga ana e Njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veri, si dashamirësi apo provokim, një mik i imi në facebook, ma kishte dërguar një porosi me këtë përmbajtje: – “Më në fund “baba”, ka vendosur të veproj, miku im, apo?!
“Jo “Baba” por “Baba-sheh”,- e përmirësova unë.
“A nuk është kjo njëjtë”? – ma ktheu ai sërish.
“Jo, jo! Ka shumë dallime”! – konstatova unë – “Mu sikur në mes të regjisorit dhe producentit të një filmi”!?.

Më duket se miku im nga facebook-u, tanimë e kishte kuptuar mirë sarkazmin parabolik të kësaj përgjigjeje të shkurtë, sepse, më pas, nuk mora më asnjë reagim nga ai. Kur si metaforë e përdora nocionin “Baba – sheh”, jam më se i bindur se edhe shumicës prej lexuesve tjerë në vazhdim, do t’i shkoj mendja tek kryeministri Hashim Thaçi. Në shikim të parë, e posaçërisht pas aksionit policor të 25 korrikut në veri, jo vetëm tek qytetarët e zakonshëm, por edhe tek intelektualët, karizmi i lidershipit të tij u fuqizua tepër. Duke e nuhatur mirë momentin e sugjestibilitetit të masave, disa analistë tanë të teledirigjuar opinionbërës, me thurjen e “himneve ditirambike” për kryeministrin, shkuan aq larg saqë atë e cilësuan si “Shqiptarin më të madh të të gjitha kohërave”?!!

Fundja, pa marrë parasysh kontradiktat politike ekzistuese nga e kaluara, dhe simpatinë vardisëse të disa tipave “intersxhi” të mbledhur rreth tij, urdhri për ndërhyrjen e Policisë Speciale të Kosovës në veri, parimisht ishte një veprim shumë i qëlluar dhe i urtë. Kur vëren se shtetit tënd në ato situata të jashtëzakonshme i kanoset rreziku i drejtpërdrejt i cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, nuk ka se si ndryshe të veprohet veçse me UNITET. Dhe nga njerëzit tanë të ndërgjegjshëm ky unitet i nevojshëm u arrit. Ato ditë, siç thotë populli, “macja me miun u bënë bashkë”: pozita e opozita, intelektualët e pseudo-intelektualët, katundarët e qytetarët, çobanët, bujqit, sharrëxhinjtë e berberët, lackucët, hajnat, dhe dallaveraxhitë, racionalistët dhe irracionalitët…Të gjithë së bashku u shkrimë në një. Të ngashënjeur nga situata, sikur për disa ditë (javë) të gjithë u shndërruam në lumturi kolektive duke harruar çdo të keqe të mëparshme: hajninë, korrupsionin, papunësinë, fukarallëkun, datat e pagesës së kësteve të kredive nëpër bankat që na ngufatin… Ato ditë, parulla hipnotizuese ishte “Nuk ka kthim prapa!” e cila si “MANTRA” të gjithëve na mbante në atë gjendje shpirtëror të krenarisë së mbushur.
Por…sikur të mos ishte kjo “POR”?!

Në vazhdim, ta rikthejmë së bashku në mendje kujtesën e asaj ngjarjeje, por këtë herë prezencën tonë aty, ta bëjmë pa eufori emocionesh të momentit. Në fillim, a nuk mendonim të gjithë se projektuesi dhe bartësi kryesor konspirativ i këtij aksioni të suksesshëm policor në veri, ishte vetë kryeministri Hashim Thaçi (me demek “baba”) ?! Pastaj na u tha … jo, jo, e ka ditë edhe EULEX-i, i cili nuk ka dashur të bashkëpunoj … Kuptohet, këtë aksion gjithsesi na paska ditë edhe KFOR-i si përgjegjës i sigurisë në Kosovë … pastaj Delli… ambasadorët tjerë të shteteve të KUINT-it… kameramanët e RTK-së… Mbase, ashtu si vajti më vonë e tërë ngjarja, po na del se për këtë aksion kanë ditur paraprakisht edhe strukturat paralele serbe atje, të cilët me kohë ishin përkujdesur që t’i vendosin barrikadat e tyre nëpër të gjitha rrugët që çonin në drejtim të pikave doganore nr. 31, e veçanërisht në atë nr. 1.

Për shumë gjëra që për këso aksione operative policore deri më dje i kam konsideruar si tejet konfidenciale, nga lajmet e mbrëmjes të asaj dite, mjaft sosh fillova t’i di edhe unë: në mes tjerash mësova se sa policë të njësisë speciale “ROSU” aktualisht janë vendosur nëpër këto dy pika doganore…dija saktë se kur ata u tërhoqën nga aty…E, merrni me mënd? Të gjitha këto informata që dija unë dhe të gjithë ne nga lajmet e mbrëmjes, këtë “transparencë” naive si duket më së miri e shfrytëzuan ata “huliganë” serbë, të cilët, vetëm pas disa orëve ia vunë flakën pikës doganore nr. 1 dhe tentuam ta djegin atë 31.

Më pas, ngjarjet rrodhën si rrodhën më tutje, dhe në fund na erdhën 10 pikat e KFOR-it. Për to Hashimi ynë krekosej se janë të Qeverisë; serbët thoshin, janë kushtet tona… e unë, me plotë përgjegjësi them se janë urdhëresa të “Babës-Sheh”.
Derisa i shkruaja këto reshta, nuk di as vetë se si spontanisht nga goja më dolën fjalët e devijuara nga teksti i asaj kënge të bukur popullore: “Xhamadani pika – pika, mos vallë po bëhemi si Bosnja, me Serbska Republika”!

Për fund, sërish me Facebook-un

Nga një mik i im kureshtar, përmes linjës së profilit tim në facebook, morra një e-mail, i cili, përpos shabllonit standard të hyrjes përshëndetëse, kryesisht më drejtohej me pyetje: A dini të më tregoni se, pse gjatë tërë kësaj situate të tensionuar në veri, kryenegociatori serb për Kosovën, Borko Stefanoviq, natë e ditë ishte me popullin e vet që protestonte në barrikada, ndërsa, nga ana tjetër, kryenegociatorja e tarafit tonë, Edita Tahiri, atë kohë kritike e kalonte nëpër dasma dhe duke pushuar në Durrës?
“S’ka se pse na duhet prezenca e Editës në këto momente – iu përgjigja unë mikut tim nga facebook-u – ndërsa, e Borko Stefanoviqit, PO dhe patjetër, sepse ashtu e do “Baba-Sheh”…
E ke të qartë! Jo “baba”, por “Baba –Sheh”…!

Exit mobile version