“Sonte në stadiumin tonë do të luaj Granit Xhaka. Jo bre nuk besoj që vjen. Ku vjen Xhaka me luajt termin në Kosovë”. – Këto ishin fjalët e disa fëmijëve të cilët kishin ardhur enkas për ta parë nga afër mesfushorin e Përfaqësueses së Zvicrës dhe Borussia Monchengladbachut në një ndeshje të futbollit të vogël e cila u zhvillua të premten në stadiumin Prince në kryeqytet. Pak minuta para orës 23:00, në parkingun e stadiumit zbarkoi një veturë luksoze. Erdhi Graniti me xhaxhain e tij Sevdaimin dhe disa miq të tyre. Erdhën edhe futbollistët e tjerë që patën nderin të luajnë në këtë ndeshje si Besnik Krasniqi (Partizani Tiranë), Granit Begolli, Gentrit Begolli, Viktor Kuka, Adnan Haxhaj (të Prishtinës), Përparim Islami (Hysi), Lapidar Lladrovci (Feronikeli) e disa të tjerë.
Stadiumi u mbush me tifozë, disa prej të cilëve e shihnin sefte ‘lajv’ Xhakën. Madje, edhe ata që kishin termin nga ora 22:00 u ndalën për t’i shikuar. Punonjësi i stadiumit fishkëlleu që njëra nga sallat të lirohet. Nën tutat e Borussias, dhe me dorë paksa të lënduar, Graniti nuk përtoi që të luaj dhe ta japë maksimumin.
Ndërkohë, loja në fushë ishte e ashpër. Nuk munguan duelet e shumta, sidomos Granit Xhaka – Besnik Krasniqi. Kishte raste kur Xhaka edhe nervozohej sidomos kur ndalej nga kundërshtarët e tij. Kishte në skuadër edhe Isuf Llumnicën, i cili i jepte topa si me dorë, teksa golat e tij të shumtë nuk mungonin. Me Xhakën ishin edhe Haxhaj e Lladrovci. Në fund, ekipi i mesfushorit të Kombëtares së Zvicirës, fitoi me shumë gola dallim. Ekipi tjetër përbëhej nga: Vëllezërit Begolli, Krasniqi, Kuka, Islami etj. “Ne ua lëshuam ndeshjen shkaku i Xhakës”, thotë në shaka Gentrit Begolli.
Tifoz edhe deputeti Lladrovci
Tifozë special kishe shumë teksa nuk mungoi as deputetit i parlamentit të Kosovës, Ramiz Lladrovci. “Kërkah s’jemi. A po e sheh se çka po ju maron”, thoshte me shaka Lladrovci. Derisa ishte programuar që loja të zhvillohej 60 minuta, për shkak të shikuesve të shumtë, ajo u shty për 20 minuta. Futbollisti Durim Qorri ndonëse nuk luante, e bëri mbrëmjen shyhret. “O Granit amon paguama rrymën se na në Kosovë nuk kemi para”, ishte thirrja e Qorrit teksa nuk hezitoi që t’ia kërkoj edhe fanellën. “O vllavi jem ama dresin. Qe 1 orë tu prit jam për këtë fanellë”, ndërkohë që Xhaka reagoi. “Hajt se dalim në foto pas lojës”. E Qorri ia ktheu me shaka. “Në foto dal me arusha në deti, po ama dresin”. Pas ndeshjes, nuk munguan as fotografitë e shumta me yllin kosovar. /Arena/Telegrafi/