Granit Xhaka ka tentuar t’i motivojë bashkëlojtarët e tij te Zvicra para takimit me Kombëtaren e Brazilit për Kupën e Botës “Rusia 2018”.
Kombëtarja zvicerane do ta nis sot (e diel) kampanjën e tyre në Kupën e Botës në një ndeshje të vështirë ndaj ekipit të madh kombëtar, Brazilit.
Kjo ndeshje është e vlefshme për Grupin E, aty ku bëjnë pjesën edhe Kombëtarja e Kosta Rikës dhe Serbia.
Brazili shihet si favorit në këtë ndeshje pasi janë pesë herë fitues të Kupës së Botës, por edhe Zvicra ka një skuadër kompakte me emra të njohur.
Barra kryesore e kombëtares helvetike mbahet nga futbollistët me prejardhje shqiptare si Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e Blerim Xhemajli.
Është pikërisht mesfushori i Arsenalit, Xhaka, i cili ka tentuar t’i motivojë bashkëlojtarët e tij me një video para takimit krucial ndaj Brazilit.
“Ne do të luftojmë, përpiqemi dhe do të vuajmë deri në fund!!!”, janë fjalët e Xhakës në postimin e tij në Facebook.
Ndryshe, ndeshja Zvicër-Brazilit do të zhvillohet në Rostov Arena të Rostovit dhe do të fillojë nga ora 20:00. /Telegrafi/