Lojtari i ri dhe me shumë perspektiv i skuadrës nga Gjermania Eintracht Hildesheim, Etrit Xhafolli ka vendosur që nga muaji qershor t’i bashkëngjitet Kosovës
Federata e Hendbollit të Kosovës ka bërë të ditur se kjo është arritur pas një bisede mes zyrtarëve të FHK-së, prindit të Etritit, Agimi Xhafolli dhe vet lojtarit, transmeton Koha.net.
“Etriti për momentin është anëtar i skuadrës Eintracht Hildesheim që garon në Ligën e Tretë të Gjermanisë, kurse ai vet paraqitet në petkun e skuadrës së juniorëve në Bundesligë, ku me shumë sukses luan në pozitën e bekut të majtë dhe lojtarit të qendrës. Në këtë edicion ai nga 22 takime ka shënuar 109 gola”, bën të ditur FHK.
Ai ka gjatësi prej 195 cm dhe peshon 87 kilogram, dhe është i lindur në vitin 1997 në Gjermani, dhe ka të drejtë që të paraqitet për Kosovën U21 vitin e ardhshëm në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2017.