“Kodi etik dhe zbatimi i tij konsekuent është proces të cilin duhet ta udhëheqim në mënyrë cilësore dhe jo vetëm ne prej kësaj përbërje mandatare por edhe të gjitha gjeneratat e ardhshme. Respektimi konsekuent i normave etike dhe morale nga ne deputetët, pa dallim nëse jemi nga pushteti apo nga opozita në mënyrë shumë pozitive do të ndikojë ndaj proceseve integruese”.
Këtë e theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në fjalimin në trajnimin për “Masat për promovimin e Kodit etik dhe ngritjen e vetëdijes për përmbajtjen e tij”, në organizim të Komisionit për Çështje të rregullores, imunitetit dhe mandateve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ai shtoi se trajnimi i sotëm ka për qëllim të përcaktojë “Masat për promovimin e Kodit etik dhe ngritjen e vetëdijes për përmbajtjen e tij”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Mendoj se pikërisht këtu është edhe esenca dhe qëllimi pasi bëhet fjalë për atë se si Kodi Etik të bëhet pjesë e kulturës tonë politike. Ky nuk është proces i cili përfundon vetëm me trajnimin e sotëm por do të duhet në mënyrë permanente të zhvillohet. Gjithsesi, krahas deputetëve, në këtë proces duhet të kyçet edhe administrata e Kuvendit”, tha Xhaferi.
Ai theksoi se normat morale dhe etike nuk janë kategori statistikore, ato vazhdimisht zhvillohen dhe plotësohen me njëra-tjetrën.
“Ne prej kësaj përbërje mandatare i bëmë hapat e parë, kemi mundësi t’i njoftojmë dhe shfrytëzojmë përvojat e parlamenteve të tjera, që gjithsesi është përparësi e jona. Për çdo rast, besoj se kjo përbërje parlamentare dhe këtu mendoj për përbërjen e plotë, shumicën dhe opozitën kemi kapacitet dhe vullnet të ballafaqohemi edhe me këtë sfidë, të vetëdijshëm se respektimi i normave dhe parimeve etike dhe morale është diçka për të cilën nuk fitohet çmim ose dekorata, por është detyrë e jona”, theksoi Xhaferi.
Përkujtoi se Kuvendi në vitin 2018 solli Kod etik për deputetët, ndërsa në shkurt të këtij viti kemi bërë edhe disa ndryshime dhe plotësime të caktuara./Telegrafi/