Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nikolla Gruevski ka pranuar se ka vjedhur zgjedhjet. Kështu vlerësojnë nga LSDM-ja opozitare derisa komentojnë vendimin e kushtetueses. Sipas LSDM-së Nikolla Gruevski dhe partia e tij jo vetëm që kanë vjedhur paratë e qytetarëve por kanë vjedhur edhe të drejtën e tyre themelore të votës së lirë, transmeton Telegrafi.
“Vendimi i turpshëm i Gjykatës Kushtetuese nuk është asgjë tjetër përveç se një keqpërdorim klasik i instalimeve politike në gjyqësi, me shpresë që Gruevski do të shpëtojë nga përgjegjësia. Për këtë qëllim u parashtrua kjo iniciativë deri tek Gjykata Kushtetuese dhe për këtë qëllim ajo u miratua në mënyrë të shpejtë. Për këtë arsye u organizuan kundër-protesta përmes të punësuarve në administratën publike”, deklaruan nga LSDM.
Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për falje nga Gjykata Kushtetuese është një hap i panevojshëm dhe i njëjti dëmton Maqedoninë. Kështu theksuan nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Deputeti i kësaj partie Talat Xhaferi, për Tv Alsat-M thotë se ky vendim i kushtetueses do të ketë pasoja dhe do të hap dilema të shumta në shoqëri.
“Fakti që Gjykata Kushtetuese ka miratuar një vendim të tillë që në suaza të kompetencave nuk diskutohet kompetenca e saj por pasojat janë të diskutueshme dhe kjo lë hapësirë që një pjesë e atyre që do të kishin përgjegjësi para organeve përkatëse për shkelje të këtyre normave ligjore do të kenë mundësi të falen. Shtrohet pyetja morale tash çka me ata që vuajtën burg në bazë të këtyre normave nëse kanë qenë antikushtetuese, kështu që hapen shumë dilema në shoqëri dhe kjo inkurajon në fakt të gjithë ata pretendent për të shkelë proceset zgjedhore në të ardhmen dhe për të ripërsëritur veprat”, tha Talat Xhaferi, BDI.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja partia e Geruevskit nuk deshën të komentojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në vij të njëjtë edhe partia politike shqiptare në opozitë PDSH-ja./Telegrafi/