Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, u takua me komisarin evropian për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili pas marrjes së funksionit në përbërjen e re të Komisionit Evropian, për herë të parë qëndron në vizitë pune dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Duke theksuar se vizitën e komisarit evropian e konsideron si mbështetje të përcaktimit të fuqishëm të shtetit për të mbetur në rrugën evropiane edhe krahas ngecjes me të cilën ballafaqohet, Kryetari Xhaferi shprehu shpresë se përpjekjet e përbashkëta do të rezultojnë me vendim për fillimin e negociatave në mars ose maj të këtij viti. Ai nënvizoi se edhe krahas dëshpërimit të madh nga mosmarrja e vendimit për startin e procesit aderues pas takimit të tetorit të Këshillit Evropian, faktorët politikë në vend gjetën forca dhe arritën të mbesin të përqendruar në qëllimin strategjik të shtetit për anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Ai më tutje theksoi se edhe pse arsyeja për mosmarrjen e datës qëndron në çështjet e brendshme të pazgjidhura të vetë Unionit, liderët politikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut vendosën ta kthejnë mandatin te qytetarët dhe ti thirrin të prononcohen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill të vitit 2020, për rrugën e mëtejshme të shtetit. Në periudhën që vijon, nënvizoi Kryetari Xhaferi, përpjekjet do të drejtohen kah mbajtja e zgjedhjeve transparente, korrekte dhe demokratike.
Komisari Varhelyi, potencoi se vizita e tij e parë jashtë Bashkimit Evropian është pikërisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut për arsye se shteti bëri më së shumti për ti realizuar aspiratat e veta për integrimin evropian dhe se në këtë mënyrë ai shpreh mirënjohje ndaj këtyre përpjekjeve. Ai informoi se plani i tij është që deri në mars të krijohen mundësi për hapjen e negociatave aderuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë dhe për këtë qëllim, metodologjia e re për procesin do të prezantohej deri në fund të muajit janar. Pakoja do të përmbajë tre shtylla dhe atë metodologjinë e procesit të përgjithshëm, hapjen e negociatave aderuese me dy shtetet dhe plan të ri ekonomik për gjithë rajonin. Komisari për Zgjerim Varhelyi theksoi se në Samitin e tetorit u bë gabim dhe se metodologjia e re është mënyrë për korrigjimin e këtij gabimi./Telegrafi/