Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftojnë nga kabineti i Xhaferit.
“Kryetari Xhaferi, duke i uruar mirëseardhje në Kuvend në emër të deputetëve, theksoi se qëllimet strategjike të shtetit prej pavarësimit të tij janë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe shprehu bindjen se në çastin kur vendi është në pragun për të filluar procesin e negociatave që duhet të sjellë deri në përmbushjen e qëllimit të dytë strategjik, deputetët do e zgjedhin rrugën e drejtë. Ai theksoi se vendimet merren në pajtim me respektimin e çështjeve kryesore për të cilat shprehet shqetësim në opinion si gjuha, kultura, historia dhe identiteti maqedonas. Gjuha maqedonase do të regjistrohet pa fusnota, potencoi Xhaferi. Ai shprehu bindjen se koha do të dëshmojë se është marrë vendimi i vërtetë”, thuhet në njoftim.
Kryetarja e KE-së, Von der Leyen tha potencoi se për të është nder të jetë këtu në vend në çaste të këtilla vendimtare, se në Bashkimin Evropian janë të vetëdijshëm se shteti ka arritur shumë deri tani dhe se lëviz në kahun e vërtetë.
Ajo shprehu shpresë se propozimi i rishikuar francez i cili i mbron identitetin dhe gjuhën maqedonase do të hasë në aprovim dhe e rikujtoi moton e BE-së: “Të bashkuar në dallimet”./Telegrafi/