Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli.
Xhaferi shkruan se Sasoli ishte i përkushtuar ndaj paqes dhe barazisë dhe ishte mbështetës i fuqishëm i zgjerimit të BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Më lejoni që në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, të shpreh ngushëllimin më të thellë ndaj familjes, ndaj të afërmve dhe kolegëve me rastin e vdekjes së Kryetarit të Parlamentit Evropian, kolegut dhe mikut tonë të dashur David Sassoli. Kryetari Sasoli, ishte politikan i cili shihte në ardhmëri, ishte i përkushtuar ndaj paqes dhe barazisë dhe ishte mbështetës i fuqishëm i zgjerimit të Bashkimit Evropian”.
“Trashëgimia e tij përfshin krijimin e familjes së përbashkët evropiane e cila do të përgjigjet ndaj pritjeve të gjithë qytetarëve evropianë. Me respekt të sinqertë ndaj trashëgimisë së tij, shprehim keqardhje për humbjen e tij bashkë me familjen e tij dhe kolegët nga Parlamenti Evropian”, ka shkruar Xhaferi.
Ndryshe, kryetari i Parlamentit Evropian David Sassoli ka vdekur, njoftoi zyra e tij herët në mëngjesin e së martës.
Ai ndërroi jetë pas një “komplikacioni të rëndë”, që kishte të bënte me sistemin e tij imunitar.
“Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ndërroi jetë në orën 1:15 të mëngjesit të 11 janarit në spitalin në Aviano, Itali”, ka shkruar zëdhënësi i tij, Roberto Cuillo në Twitter./Telegrafi/