Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, ka dërguar telegram ngushëllimi për rastin e tragjedisë me aeroplan, nga rrëzimi i të cilit humbën jetën katër shtetas të Republikës së Bullgarisë.
Xhaferi thotë se është i prekur nga lajmi i vdekjes së katër anëtarëve të familjes nga Bullgaria dhe se në emër të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut shpreh ngushëllime, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Fundjava e kaluar bashkë me familjen në Ohrin tonë të bukur, për fat të keq përfundoi me epilog krejtësisht të papritur dhe të pikëlluar për Boshnakët. Fluturimi i tyre u ndërpre me rënien e fluturakes në vendin Solunska glava. Kjo është ngjarje e pikëlluar për të afërmit e tyre, për miqtë, të njohurit dhe bashkëpunëtorët e tyre, mirëpo, ngjarje e pikëlluar edhe për Republikën e Bullgarisë dhe qytetarët e saj. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh ngushëllim të sinqertë edhe ndaj kreut shtetëror të vendit tonë fqinj dhe të uroj që lajmet e këtilla fatkeqe mos përsëriten kurrë. Le të jetojë kujtimi për këtë familje në memorien e të gjithë atyre që i kanë njohur personalisht dhe kanë ndarë çaste të përbashkëta me të ndjerët”, (sic) shkruan Xhaferi.
Ndryshe, aeroplani i tipit “Cesna” i cili fluturonte në linjën Ohër-Sofje, u rrëzua në vendin e quajtur “Maja e Selanikut”, ku jetën e humbën katër anëtarët e një familje, të gjithë shtetas të Bullgarisë./Telegrafi/