Site icon Telegrafi

Xhaferi-Reeker: Konstatohen marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi sot realizoi takim me ambasadorin Philip Reeker, zëvendës civil dhe këshilltar politik i komandantit të
Komandës Evropiane të forcave ushtarake të SHBA-së.

Xhaferi e falënderoi për mbështetjen e SHBA-ve për përpjekjet tona prej pavarësisë deri sot me anë të projekteve të ndryshme të USAID-it, por edhe për mbështetjen që e fitonim prej NDI dhe IRI në ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe përfshirëse, njofton Telegrafi Maqedoni.

Kryetari Xhaferi e informoi bashkëbiseduesin për aktivitetet aktuale në Kuvend të ndërlidhura me pakon e ligjeve reformuese me të cilat presim caktimin e datës për fillimin e negociatave nga ana e Këshillit të BE-së në qershor të këtij viti, si edhe për ratifikimet e marrëveshjeve me Republikën e Bullgarisë dhe Republikën e Greqisë me të cilat u tejkaluan çështjet e hapura me fqinjët dhe u hap rruga për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO.

Ambasadori Reeker theksoi se ka shumë arsye për kremtim të zhvillimit pozitiv të evenimenteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për arsye se sipas tij, tejkalimi i kontestit me emrin nuk është vetëm hap i madh për vendin por edhe për gjithë rajonin.

Reeker e përshëndeti procesin e ratifikimit të protokollit për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, duke sugjeruar se Senati i SHBA-ve bën përpjekje për ratifikim të tij më të shpejtë sesa procedura e zakonshme dhe shprehu shpresë se vendi deri në fund të vitit do e fitojë vendin e merituar në Aleancë./Telegrafi/

Exit mobile version