“Qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë dhe të dalin të marrin pjesë në sjelljen e vendimit më të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë”, tha kryeparlamentari Xhaferi në ditën e fundit të fushatës për referendumin e 30 shtatorit bashkërisht me trupin koordinues, dhe në emër të gjithë 120 deputetëve të cilët udhëhoqën fushatën “për” ose “kundër”.
“Si qytetarë të këtij shteti kemi obligim të njëjtë të marrim pjesë në sjelljen e këtij vendimi historik ku varet drejtimi ku do të lëvizë Republika e Maqedonisë. Vendimi pozitiv i qytetarëve më 30 shtator për Maqedoni do të thotë hapja e dyerve të NATO-s dhe BE-së. Kjo shtetit tonë do t’i mundësojë siguri, rrugë të hapura për qytetarët tonë, më shumë investime të huaja, hapje të vendeve të reja të punës, treg më i madh për prodhuesit tonë, mundësi për zhvillim të gjeneratave të reja”, deklaroi Xhaferi, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Referendumi i suksesshëm, tha Xhaferi, do të thotë shtet i së drejtës, reforma në gjyqësi dhe sundim i plotë i së drejtës, me një fjalë jetë më e mirë për të gjithë ne dhe për gjeneratat e ardhme.
“Me rezultat pozitiv më 30 shtator Maqedoni do të bëhet partner i barabartë në NATO dhe do të hap rrugën për hyrje të shtetit tonë në shtëpinë e përbashkët evropiane”, tha Xhaferi duke ju bërë thirrje qytetarëve të votohet bashkërisht për Republikë të Maqedonisë në BE dhe NATO./Telgrafi/