Telegrafi

Xhaferi: Para 27 vitesh në Kuvend janë vendosur qëllimet strategjike të Maqedonisë – intergimet euro-atlantike

Para 27 vitesh, pikërisht këtu në Kuvend u vendosën qëllimet strategjike të Republikës së Maqedonisë, ato janë integrimet euro-atlantike. Ai është një përcaktim strategjik i cili, si atëherë, ashtu edhe tani gëzon përkrahje të madhe te qytetarët tanë. Deklarativisht, për këto integrime dalin të gjitha partitë parlamentare, gjë që vërehet në shumicën e rezolutave dhe deklaratave të miratuara pikërisht këtu në Kuvend.

Këto janë fjalët e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi gjatë fjalimit për shënimin e 8 Shtatorit – Dita e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë.

Xhaferi shtoi në këto 27 vite të pavarësisë janë bërë shumë punë në plan të brendshëm. Sot Maqedonia është shtet i qytetarëve të barabartë, shtet në të cilin respektohen si të drejtat njerëzore individuale, ashtu edhe ato kolektive.

“Shoqëria funksionon si shoqëri multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, dhe si e atillë paraqet shembull pozitiv si në rajon, ashtu edhe më gjerë. Prandaj, jam i bindur se edhe përskaj sfidave të mëdha nëpër të cilat kaluam, sot jemi shumë afër realizimit të përcaktimeve tona strategjike të vendosura që para 27 viteve — anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe NATO”, theksoi Xhaferi.

Rikujtoi se me nënshkrimin e Marrëveshjes për miqësi me Republikën e Bullgarisë dhe Marrëveshjes së Prespës, “na hapet gjerësisht dera për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian”./Telegrafi/