Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës kontribuojnë që marrëdhëniet ndër-fqinjësore në rajon të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe vizitat e këtilla janë dëshmi për këtë përkushtim, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri në takimin e sotëm me zëvendës kryeministrin dhe Ministrin e punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoni.
Xhaferi përmendi bazën ligjore dhe marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy shteteve të cilat duhet të zgjerohen së shpejti me nënshkrimin e më shumë marrëveshjeve dypalëshe për lehtësimin e marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet dy shteteve fqinje.
Ai poashtu, në emër të Kuvendit të RM-së, shprehu gatishmëri për ndarjen e përvojave në procesin e eurointegrimeve me kolegët e Kuvendit të Kosovës dhe theksoi pritjet e tij që edhe në Kuvendin e Kosovës të formohet grup parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Maqedonsië.
Ministri pë punë të jashtme i Kosovës, Pacolli shprehu kënaqësinë e tij për kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim, veçanërisht për faktin se ai lehtësim kufitar ka qenë edhe përkushtim i tij personal gjatë periudhës kur ka qenë President i Kosovës.
Pacolli e theksoi nevojën që deputetët e Kosovës të fitojnë nga përvojat dhe ekspertiza e kolegëve të tyre nga Kuvendi i Maqedonisë dhe bashkëpunimi ndër-parlamentar të zhvillohet në bazë të rregullt.
Bashkëbiseduesit e vërtetuan edhe vendosmërinë për bashkëpunim më intensiv ekonomik dhe lidhje më të mirë infrastrukturore ndërmjet dy vendeve./Telegrafi/