Në margjinat e Konferencës “Mbështetje e demokracisë anembanë botës: ndërtimi i rezistencës demokratike” në Parlamentin Evropian, Kryetari Xhaferi realizoi takim me eurodeputetin Andreas Shider, i cili është pjesëmarrës aktiv në Dialogun Zhan Mone.
Në fillim të takimit, eurodeputeti Shider shprehu keqardhje që për shkak të obligimeve zyrtare jashtë Belgjikës, nuk ishte i pranishëm në takimin e djeshëm me kolegët Valsman dhe Kjuçuk. Krahas për Dialogun Zhan Mone, ai shprehu interes edhe për gjendjen aktuale politike në shtet, për avancimin e procesit të skriningut dhe ndryshimet kushtetuese.
Kryetari Xhaferi e informoi eurodeputetin Shider për proceset rrjedhëse në Kuvend, konkretisht për shqyrtimin e Propozim Buxhetit të shtetit, për kornizën kohore për miratimin e tij, si edhe për propozimet ligjore me prioritet që duhet të miratohen nga ana e Kuvendit deri në fund të këtij viti.
Në plotësim, u rikthye edhe në dy nismat e parashtruara për shpalljen e referendumit, për dialogun politik në Kuvend, si edhe për ndryshimet kushtetuese që duhet të miratohen para se të fillojë hapja e klasterëve me BE-në. Në lidhje me ngjarjet politike dhe mbajtjen e Dialogut Zhan Mone, Kryetari Xhaferi theksoi se pret që procesi i miratimit të Rregullores së re të përfundohet në vitin 2023, për arsye se Rregullorja e re do e çlirojë Kuvendin nga bllokimet dhe do e orientojë procesin ligjvënës kah efikasiteti dhe produktiviteti.
Eurodeputeti Shider theksoi se i ndjekin së afërmi reformat dhe proceset në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe presin që në vitin 2023 të ndodhin të gjitha ndryshimet e dëshiruara dhe të duhura dhe përparimi i shëtit kah BE-ja, por jo për shkak të institucioneve evropiane, por në drejtim të përfitimeve për qytetarët dhe shtetin.
Bashkëbiseduesit konstatuan së bashku se nevojitet që kjo përbërje parlamentare t’i lë pas vetes të gjitha proceset e tranzicionit dhe të gjitha arsyetimet që bëjnë që shteti të vendnumërojë dhe njëzëri, para Bashkimit Evropian dhe botës, ta konfirmojë dhe realizojë qëllimin e përbashkët strategjik.