Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me ministrin e Mbrojtjes së Republikës Çeke, Ljubomir Metnar.
Sipas njoftimit të shërbimit kuvendar për shtyp, kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që vendi ynë e pranon nga Republika Çeke në integrimet tona euroatlantike dhe evropiane. Ai shprehu kënaqësi që Metnar e viziton Republikën e Maqedonisë së Veriut në cilësinë e vendit anëtar në NATO.
“Theksoi se prezantimi i tij për sigurinë para deputetëve është i përshtatshëm dhe do të kontribuojë në përforcimin e mëtejshëm të rolit të komisioneve dhe të Kuvendit në përgjithësi dhe në demokratizimin e mëtejmë të shoqërisë sonë. Njëherazi, ai shprehu mirënjohje që Grupi i Vishegradit është ndër mbështetësit më të zëshëm të aspiratave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për fitimin e anëtarësimit në BE”
“Kryetari Xhaferi informoi se në Kuvend tani më është formuar Grupi Parlamentar i Bashkëpunimit me Parlamentin e Çekisë dhe se konsideron se dimension parlamentar gjithmonë mund të ndihmojë në përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha sferat”
“Ministri i Mbrojtjes, z. Ljubomir Metnar theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është partner shumë i rëndësishëm për Republikën Çeke dhe se do të vazhdojnë të mbështesin vendin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Konsideron se Ballkani Perëndimor paraqet prioritet të jashtëm afatgjatë për Çekinë. Ai nënvizoi se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s e përforcon stabilitetin e tërë rajonit. Më tej, e potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të mirë ndërmjet pushtetit ligjvënës dhe atij ekzekutiv nëpër shtetet, si edhe zbatimin e mirë të procedurave të furnizimit publik në fushën e mbrojtjes. Sugjeroi se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes dy vendeve duhet të vazhdojë, me ç'rast ofroi ekspertizë dhe përvoja nga anëtarësimi i tyre njëzetvjeçar në Aleancën e NATO-s”
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi aktiv mes dy vendeve është sidomos i dukshëm dhe i ndërlidhur me krizën migrante kur Republika Çeke, në funksionin e mbikëqyrësit të suksesshëm, kontrollit dhe mbrojtjes së kufirit tonë shtetërorë kah Greqia, dhe për shkak të parandalimit të kalimit ilegal të migrantëve, dërgoi nëpunës policorë çekë të kryejnë aktivitete të përbashkëta me forcat tona policore”, thuhet në fund të njoftimit./Telegrafi/