Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka realizuar takim me Jarosllav Ludva, ambasador i sapoemëruar i Republikës Çeke në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast i uroi punë të suksesshme dhe shprehu shpresë se angazhimi i tij personal do të kontribuojë në përforcimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Në takim Xhaferi e informoi ambasadorin edhe për punën e Kuvendit dhe trupave të tij punues, për sfidat me të cilat ballafaqohet vendi si edhe ngjarjet më të reja në skenën politike. Në raport me bashkëpunimin parlamentar, theksoi se pret që bashkëpunimi mes dy vendeve të vazhdojë me vizita të ndërsjella në nivelin më të lartë parlamentar.
Siç njoftuan nga Kuvendi, Xhaferi potencoi se mbështetja e vazhdueshme dhe e fuqishme që e pranojmë nga Republika Çeke në rrugën tonë eurointegruese çmohet dhe respektohet veçanërisht dhe shprehu shpresë se ajo mbështetje do të përforcohet gjatë kryesimit çek me Këshillin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2022.
“Me këtë rast, shprehu falënderim edhe ndaj Grupit të Vishegradit i cili është ndër mbështetësit më të zëshëm të aspiratave të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për sugjerimin e qartë se çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë për përshpejtimin e negociatave me vendet kandidate për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor. Republika Çeke gjithmonë e ka theksuar faktin se përforcimi i partneriteteve para-aderuese do të sjellë deri në avancimin e lidhjeve infrastrukturore ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, si edhe të parimit të sundimit të mirë”, theksohet në kumtesën e Kuvendit.
Ambasadori Ludva nënvizoi se është njohës i mirë e gjendjeve politike në rajon dhe shprehu kënaqësi për mundësinë që karrierën e vet diplomatike të pasur ta vazhdojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai sugjeroi se Republika Çeke është mbështetës i madh i eurointegrimit të shtetit tonë dhe pret të përshpejtohet procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian gjatë kryesimit çek me Këshillin e BE-së pas përfundimit të kryesimit francez.