Site icon Telegrafi

Xhaferi në Kanadë: Obligimet tona do t’i përmbushim në kohë

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ka marrë pjesë në Sesionin e 64 të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në fjalimin e tij, Xhaferi tha se Maqedonia ka dhënë kontribut në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe prej vitit 1991 kur u bë shtet, e ka zgjedhur rrugën nëpër të cilën do të ecë, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Ky përcaktim ishte udhërrëfyesi i cili luajti rol tejet pozitiv në proceset e përgjithshme të tranzicionit të shteteve të Evropës Juglindore ndër të cilat është natyrisht edhe Republika e Maqedonisë. Respektivisht, nëpërmjet tij ne mësojmë dhe i pranojmë parimet dhe standardet e demokracisë parlamentare, respektimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive të njeriut, sundimin e të drejtës dhe shtetit juridik”, tha Xhaferi.

Ai shtoi se me sigurinë juridike, në pako shkon edhe siguria ekonomike, respektivisht vendi bëhet atraktiv edhe për investuesit e huaj për të cilët anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO është provë e mjaftueshme se investimet e tyre janë të sigurta.

Xhaferi foli edhe për marrëdhëniet fqinjësore të Maqedonisë, ku tha se zgjidhja e çështjeve të hapura me fqinjët, paraqet hyrje të papenguar në aleancën e NATO-s.

“Fillimisht u nënshkrua Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë, me të cilën u afirmuan lidhjet e fuqishme ekzistuese dhe u hap dera për bashkëpunim edhe më të ngushtë në fusha të ndryshme, prej infrastrukturës deri në kulturë dhe mandej, në fillim të verës, pas kontestit që zgjati 27 vite të gjata, ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë e nënshkruan Marrëveshjen finale për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe për partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve ose, Marrëveshjen e ashtuquajtur të Prespës”, tha Xhaferi.

Ai në fund falënderoi shtetet anëtare të NATO-s dhe shtoi se Maqedonia obligimet e saj për anëtarësim do t’i përmbush në kohë./Telegrafi/

Exit mobile version