“Me ratifikimin e sotëm të protokollit për në NATO në Kuvendin e Bullgarisë, treguam vendosmërinë për të vazhduar të zgjidhim problemet në rajon dhe të kujdesemi për sigurinë kolektive, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në gjithë Evropën”, deklaroi sot kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë Cveta Karajançeva, pas takimit në Sofje me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Bullgari, ku edhe mori pjesë në seancën plenare të Kuvendit të Bullgarisë për ratifikimin e protokollit.
Cveta Karajançeva mes tjerash tha se Sofje dhe Shkupi mund të krenohen me marrëveshjen e nënshkruar për fqinjësi të mirë dhe miqësi. Ajo përshëndeti edhe nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës me Greqinë, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, tha se ratifikimi i sotëm i protokollit tregon se NATO është bërë realitet për Maqedoninë.
“Jam i bindur se me Bullgarinë, edhe ne si shtet por edhe gjithë rajoni i Ballkanit do të lëvizim në drejtimin e duhur që sjell paqe, stabilitet, përparim dhe mirëqenie. Mirë është të kesh miq të sinqertë, por është ndjenjë më e mirë kur i ke edhe fqinj”, tha mes tjerash Xhaferi.
Ndryshe, Kuvendi i Bullgarisë sot me 140 vota “pro” ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ndërsa para saj këtë e kanë bërë edhe Greqia, Sllovenia dhe Shqipëria./Telegrafi/