Site icon Telegrafi

Xhaferi-Meta: Marrëdhëniet ndërshtetërore në vazhdimësi thellohen

“Si kryetar i Kuvendit do të japë kontributin tim në përforcimin dhe intensifikimin e raporteve ndërmjet dy vendeve miqësore në të gjitha fushat dhe në veçanti në kuadër të bashkëpunimit parlamentar në të gjithë nivelet”, porositi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në takimin e sotëm në Shkup me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Xhaferi e ka shprehur kënaqësinë e tij se në vazhdimësi po përforcohen dhe thellohen raportet e ndërsjella ndërshtetërore dhe ndahen vlerat dhe interesat e përbashkëta me Shqipërinë në korniza të integrimeve euroatlantike.

I pari i Shqipërisë theksoi se e gëzon fakti se për herë të parë përfaqësues i komunitetit shqiptar në Republikën e Maqedonisë është kryetar i Kuvendit dhe ushtrimi i këtij funksioni të lartë dhe të rëndësishëm do të jetë vetëm inkurajim në drejtim të përforcimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëjetesës në Maqedoni.

Meta, gjithashtu e theksoi nevojën gjatë periudhës në vijim që të dyja palët të bashkëpunojnë ngushtë në fushën e euro-integrimeve, sepse dhoma ligjdhënëse ka rolin kryesor në rrugën drejt aderimit në familjen evropiane.

Ai e përshëndeti mbledhjen e ardhshme të përbashkët qeveritare ndërmjet dy vendeve e cila do të jetë me pika dhe çështje konkrete me interes të përbashkët, dhe shprehu nevojën për zhbllokimin e Maqedonisë për aderim në NATO dhe BE./Telegrafi/

Exit mobile version