Site icon Telegrafi

Xhaferi: Mendoj se kemi marrë mësime se me dhunë nuk ndërtohet demokracia

Nuk do të bisedoj për strukturat e buxhetit, nuk do të vlerësoj se buxheti këto 26 vite ishte zhvillimor apo vetëm social, këtë u’a lë ekspertëve, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, pas kthimi të tij nga konferenca e Ministrisë së Financave, në kujtim të 26 vjetorit të sjelljes së buxhetit të parë në Maqedoninë e Pavarur, me temën “Menaxhimi i Financave Publike dhe rritja ekonomike – të përmbushura apo e kundërta?”, shkruan Telegrafi Maqedoni.

“Para 26 viteve, kur është miratuar buxheti i parë i Republikës së Maqedonisë, treguam para opinionit publik, veçanërisht subjekteve ekonomike, por edhe ndërkombëtarëve dhe organizatave financiare ndërkombëtare se si shtet jemi të vetëdijshëm për planifikimin, për miratimin, se si ta mbushim dhe ta realizojmë buxhetin pa të cilën nuk mundet të mendohet funksionimi i shtetit.

Kur flasim për rolin e Kuvendit, për fat të keq, me patjetër ta përmendim ngjarjen e 24 dhjetorit, 2012, ngjarje e njohur për publikun si e hëna e zezë, të ndërlidhura drejtpërdrejtë me miratimin e buxhetit. Përsëris se deri sa të jem unë i pari, nuk do të lejoj të ndodhë ndonjë ” e hënë e zezë” ose të përsëritet 27 prilli, 2017. Besoj se në të gjithë kemi nxjerrë mësim nga këto ngjarje, e mësuam leksionin historik se me dhunë nuk ndërtohet demokracia, e as institucionet funksionale.

Kuvendi ka bërë kontroll të buxhetit gjatë rishikimit dhe miratimit të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë, ndërsa Qeveria është e detyruar ta paraqesë deri më 30 qershor të çdo viti. Kjo kontroll mundet të bëhet edhe nëpërmjet pyetjeve të deputetëve, pastaj nëpërmjet rishikimit të raportit vjetor dhe auditimit për revizion, e deri te mundësia e seancave të mbikëqyrura. Sidoqoftë, mbetet e hapur se sa Kuvendi i shfrytëzon në mënyrë efikase këto procedura ligjore për kontrollin, si në mbledhje po ashtu edhe në shpenzime.

Nëse duhet të jemi kritik dhe objektiv, atëherë me patjetër duhet të pranojmë se ne kemi ngelur në atë se çka bëhet në praktikë në shtetet më të zhvilluar dhe demokratike. Për hir të së vërtetës, mendoj se edhe te Qeveria, konkretisht tek shumica parlamentare dhe besoj se edhe te opozita, ka ndryshime pozitive në kuptimin dhe praktikimin e rolit të Kuvendit në miratimin e buxhetit, por gjithashtu edhe rolin e harxhimeve të parave të qytetarëve. Megjithatë, shumica parlamentare s’duhet të jetë vetëm makinë votimi, por edhe të argumentojë dhe të diskutoj për buxhetin e pavarur vi-za-vi qeverisë ekzekutive.

Besoj se konferenca e sotme do të kontribuojë gjithashtu në forcimin e rolit të Kuvendit në miratimin e buxhetit, si dhe në kontrollin e shpenzimeve, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një demokraci të vërtetë, institucionet e vërteta funksionojnë në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi maksimale para qytetarëve”, tha Xhaferi./Telegrafi/

Exit mobile version