Site icon Telegrafi

Xhaferi: Maqedonia e Veriut është shembull i vendit që ka qenë importues, ndërsa sot është eksportues i paqes

“Multilateralizmi paraqet gur themel mbi të cilin bazohet rendi ndërkombëtar juridik bashkëkohor dhe instrument i cili i bashkon vendet në respektimin e vlerave demokratike, duke siguruar njëherazi trajtim të barabartë të vendeve individuale në të drejtat dhe obligimet e tyre në këto organizata ndërkombëtare. Në ato suaza, NATO- ja si organizatë rajonale multilaterale, prej themelimit të vet deri sot, është përfaqësues i fuqishëm për bashkëpunim të fuqishëm me organizatat ndërkombëtare tjera të cilat kanë veprim të përcaktuar global apo gjeografik. Kontributi i saj në sigurimin e mbrojtjes së Evropës Perëndimore, zgjerimi kah Lindja, kah rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe aktualisht kah pjesa veriore e Evropës, realizimi i misioneve paqësore dhe asistencave në më shumë vende nëpër botë, e shndërruan NATO-n në partner global dhe eksportues të paqes dhe stabilitetit në botë”.

Këtë e theksoi kryeparlamentari Talat Xhaferi në takimin e nivelit të lartë të kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s me temën: “Sfida globale, partnerë globalë, NATO global”.

“Vendi im, Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull i vendit që ka qenë importues, ndërsa sot është eksportues i paqes, partner aktiv dhe kontribuues në Aleancë. Përmes realizimit të këtij qëllimit tonë strategjik, që është përcaktim i shumicës së gjithë qytetarëve tanë, ne arritëm ta mbrojmë pavarësinë, integritetin territorial, pacenueshmërinë e kufijve shtetërore të pranuara ndërkombëtarisht, por edhe të promovojmë politikë të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet në rajonin më të gjerë. Përpjekjet tona për të kontribuuar në paqen dhe sigurinë globale paraqesin udhërrëfyes për institucionet tona, për përgatitjen e tyre të vazhdueshme të kapaciteteve dhe aftësive për pjesëmarrje në misionet dhe operacionet ndërkombëtare të NATO- s, por edhe të Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Xhaferi.

Sipas Xhaferit trendët e ri global të sigurisë dhe gjeopolitikës përmbajnë në vete rreziqe për sigurinë e shteteve, për çka nevojitet ndërtimi i mekanizmave përkatëse të përgjigjes dhe veprimit më gjithëpërfshirës nga ana e të gjithë faktorëve. Ndryshimet siç shtoi Xhaferi në mjediset e sigurisë nuk lejojnë që kanosjet të perceptohen në mënyrë të veçuar, si paraprakisht, por kërkojnë modernizim të kapaciteteve dhe gatishmëri për veprim të vendosur.

Exit mobile version