Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ka dalë me urim me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip. Ai thotë se para 114 vjetëve, Kongresi i Manastirit ishte tubimi që e miratoi produktin më të çmuar.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pjesëtarë të bashkësisë shqiptare, Më lejoni që në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, me gëzim të veçantë të drejtoj urime të përzemërta me rastin e njërës së festave më të rëndësishme shqiptare, 22 Nëntori – Dita e Alfabetit, me dëshirë të sinqertë për suksese dhe prosperitet të pafund për shqiptarët kudo që të jenë”.
“Kongresi i Manastirit, para saktë 114 vjetëve, ishte tubimi që e miratoi produktin më të çmuar për një popull, Alfabetin e njësuar me të cilin shkruajmë, lexojmë dhe e përhapim gjuhën tonë, kulturën, zakonet, veçoritë dhe traditat folklorike dhe akoma më me rëndësi, alfabeti me të cilin lindi dhe e filloi rrugëtimin e vet lufta kombëtare e pavarësimit kulturor në rrafshin botëror dhe mbështetje e fortë e identitetit kombëtar dhe e pavarësimit politik të popullit shqiptar. Uroj që festën ta kaloni në atmosferë solemne, me mendime dhe vepra të bukura, ashtu
siç i takon kësaj dite. Gëzuar 22 Nëntori!”, thotë Xhaferi në urim.