Site icon Telegrafi

Xhaferi – Koja: Miratimi i ligjeve reformuese është prioritet i punës në Kuvend

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me shefin e Misionit të OSBE- së në Shkup, Clemens Koja.

Sipas njoftimit, Xhaferi potencoi se e çmon lartë rolin e OSBE-së në zhvillimin e proceseve demokratike në vend, kontributin e OSBE/ODIHR me mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore, si edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Kuvendit me Misionin e OSBE-së në Shkup. Ai theksoi se Asambleja Parlamentare e OSBE-së, ku merr pjesë aktive Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, paraqet lidhje vitale ndërmjet Organizatës dhe deputetëve të cilët
janë drejtpërdrejt të zgjedhur nga qytetarët.

“Ambasadori Clemens Koja e përgëzoi Kryetarin Xhaferi për zgjedhjen e sërishme për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nënvizoi se Misioni i OSBE-së në Shkup do të vazhdojë të bashkëpunojë me dhomën ligjvënëse në zbatimin e proceseve reformuese”, thuhet në njoftim.

Kryetari Xhaferi dhe ambasadori Koja këmbyen mendime rreth prioriteteve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, respektivisht nevojën për nxjerrjen e ligjeve reformuese në vigjilje të konferencës ndërqeveritare për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në, nevojën për shqyrtimin e sërishëm të Ligjit kundër diskriminimit, për konfirmimin e vendimeve për gjendjen e jashtëzakonshme dhe për ndryshimin e Rregullores në përputhje me atë që u akordua përmes Dialogut Zhan Mone.

Në takim u bisedua edhe për domosdoshmërinë e mundësimit të të punuarit alternativ të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kushte të pandemisë ose gjendjeve tjera të paparashikuara.

Bashkëbiseduesit e theksuan bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, me qëllim të përforcimit pavarësisë parlamentare, të funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik dhe shprehën gatishmëri për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në këtë plan./’Telegrafi/

Exit mobile version