Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, nuk heq dorë nga idea që Kuvendi të ketë pesë nënkryetarë, e jo tre si në mandatin e kaluar. Për këtë qëllim, në seancën plenare të caktuar për 4 shtator, si pikë e nëntë është vendosur propozim-vendimi për verifikim të numrit të nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Kjo ishte një nga çështjet që përplasi deputetët e shumicës parlamentare dhe opozitës ku qeveritarët, duke u thirur në Ligjin për Kuvend dhe Rregulloren, thotë se Kuvendi duhet të ketë pesë nënkryetarë, ndërsa deputetët e OBRM-PDUKM pretendonin se Kuvendi nuk duhet të harxhojë mjete të buxhetit në mënyrë të panevojshme për pesë nënkryetarë. Sipas tyre, shumica parlamentare mundohet të vendosë pesë nënkryetarë vetëm për t’i plotësuar premtimet ndaj partnerëve të koalicionit.
Kryetari Xhaferi, pikën për emërimin e zëvendësve të tij e hoqi nga rendi i ditës në korrik me qëllim të përshpejtimit të seancës për shkarkimin e Prokurorit Marko Zvërlevski dhe për ribalancin e buxhetit.
Sipas Rregullores për Punë të Kuvendit, numrin e nënkryetarëve e vendos Kuvendi, pas propozimit të Kryetarit të Kuvendit dhe njëri prej tyre duhet të jetë nga rradhët e partisë më të madhe opozitare të përfaqësuar në Kuvend./Telegrafi/