Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një intervistë për agjencinë e Beogradit “Beta” tha se Parlamenti i Maqedonisë dhe ai vetë janë të hapur për bashkëpunim me institucionet e Serbisë dhe vlerësoi se deklaratat nxitëse të politikanëve çojnë në prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ato kontribuojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve së pari individuale mes përfaqësuesve të institucioneve, dhe kjo normalisht përmes rrugës së propagandës ndikon edhe në marrëdhëniet mes popujve, përkatësisht qytetarëve të shteteve në rajon. Secili duhet të jetë përgjegjës në kontekstin e deklaratave që jep për kolegët e vet”, deklaroi Xhaferi.
Në lidhje me deklaratat e zyrtarëve serb se politikanët shqiptarë në rajon paraqesin kërcënim për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë, Xhaferi tha se nga aspekti politik nuk është mirë që politikanët të kualifikohen në mënyrë të tillë mes vete.
Ndërsa i pyetur se a do të kyçej në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, Xhaferi tha se është i gatshëm ta merr atë detyrë./Telegrafi/