Drejtori i Investimeve Kapitale në Prishtinë, Krenar Xhaferi, ka thënë se viti 2023 ka përfunduar mirë me realizimin e projekteve që ishin të planifikuara.
“Si fillimi i punimeve në rrugën A që është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Mund të them se 70 për qind të kolektorit e kemi përmbyllur atje, kemi pasur një situatë me “Rrugën A” që disa herë është pezulluar, tani ka përfunduar si e tillë. Besoj që deri në fund të gushtit do ta kemi komplet, diku 1.5 km të rrugës të asfaltuar”, ka thënë Xhaferi në RTV Dukagjini.
Xhaferi ka thënë se kanë filluar punimet edhe në rrugën B, që sipas tij lidhet me rrugën A.
“Kemi filluar punimet në unazën e qytetit që është në lagjen “Arbëria” mbi hekurudhë…Kemi asfaltuar një pjesë të hyrjes së Gollakut nga Prishtina. Janë edhe shumë projekte tjera të mëdha të cilat i kemi filluar”, ka thënë tutje drejtori i Investimeve Kapitale në kryeqytet.
Tutje, Xhaferi ka shtuar se viti që lamë pas ka qenë një vit shumë i mirë, me shumë problem, por sipas tij, i’a kanë dalë mbarë.