Telegrafi

Xhaferi-Bontan: Demokracia, përfitim civilizues që në punën e parlamentit nuk guxon të keqpërdoret

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot realizoi takim zyrtar me ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Maqedonisë, Fransoa Bontan, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ambasadori Bontan e nënvizoi gatishmërinë e mëtejme të Mbretërisë së Belgjikës, për të mbajtur, zhvilluar dhe kultivuar lidhje më të ngushta bilaterale me Republikën e Maqedonisë në planin bilateral, si dhe në proceset e eurointegrimit të Republikës së Maqedonisë, ashtu edhe midis parlamenteve të dy vendeve. Ai shfaqi bindje dhe pritje se në periudhën e ardhshme do të vijë deri në stabilizimin e shtetit në planin politik, me çka do të krijohen kushte produktive për rimëkëmbjen e lidhjeve ekonomike, veçanërisht në planin e investimeve belge në vend”, kumtoi Kabineti i Kryetarit të Kuvendit të RM-së.

Xhaferi e ka njoftuar ambasadorin me përgatitjet e fundit për seancën e nesërme kur pritet të zgjidhet qeveria e re, me ç’rast do të pasojë formimi i trupave të punës së Kuvendit, delegacioneve dhe grupeve të deputetëve për bashkëpunim me parlamentet e disa shteteve të veçanta, ndërsa më pas edhe ndryshimeve ligjore në kontekst të zgjedhjeve lokale në vjeshtë. Ai e ka njoftuar ambasadorin se edhe në këtë përbërje të deputetëve, midis të tjerash do të formohet edhe Grupi i deputetëve për bashkëpunim me parlamentin e Mbretërisë së Belgjikës, me çka do të vazhdojë thellimi i mëtejmë i lidhjeve më të afërta midis parlamenteve, njofton AIM.

“Bashkëbiseduesit i këmbyen pikëpamjet e tyre për demokracinë si përfitim civilizues e cila në punën e parlamentit nuk guxon të keqpërdoret, por duhet të jetë kusht që të mundësohet debat konstruktiv i të gjithë faktorëve politikë në shtëpinë ligjdhënëse, vend ku nuk ka tolerancë për çfarëdo lloj dhune. Bërja e kompromiseve nuk guxon të shfrytëzohet si mjet për t’i penguar proceset, por si metodë e punës së përbashkët dhe bashkëpunimit të përbashkët në funksion të progresit të plotë të përbashkët, me qëllim që të realizohen, para së gjithash, pritjet dhe interesat e qytetarëve”, informoi Kuvendi.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar se marrëdhëniet e vendosura miqësore midis Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Belgjikës duhet edhe më tej të vazhdojnë të kultivohen me përkushtimin e fuqishëm dhe besimin e ndërsjellë. /Telegrafi/