Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se Xhafer Tahiri do të kandidojë edhe për një mandat në krye të Vushtrrisë.
Abdixhiku ka pohuar se Tahiri ka bërë zhvillime në Vushtrri, transmeton Telegrafi.
“Është kënaqësi e veçantë për mua që një njeri si Xhafer Tahirin, ta nominoj edhe për një mandat në krye të Vushtrrisë. Ai i dha kahje ndryshe zhvillimit të Komunës dhe për këtë do të kërkojë aprovimin e Kryesisë. I njohur si një ndër lokalitetet antike dardane, Vushtrria, ka për nderë që një kryetar si Xhafa ta vazhdojë punën e kreut të Komunës edhe për 4 vjetët e ardhshme në të mirë të të gjithë banorëve të saj”, ka pohuar ai.
Kreu i LDK-së ka përmendur edhe disa nga sukseset e Tahirit gjatë qeverisjes në Vushtrri.
“Ai ka vizion të qartë se si duhet të duket qyteti e fshatrat e Komunës nën udhëheqjen e LDK-së, i përkrahur nga të gjitha strukturat pa dallim. Për një mandat, ka siguruar kyçje në ujë për 7000 familje vushtrriase; ka krijuar Zonën Ekonomike me plot 800 vende pune; ka dhënë shembull nacional në mbledhjen e mbeturinave; ka ndërtuar 2 qerdhe e një Qendër Mjekësie; e dhjetëra projekte infrastrukturore. Xhafa e meriton përkrahjen e secilit prej nesh sepse gjatë mandatit të parë, me punën dhe përkushtimin e tij na ka bërë të gjithëve krenarë. Xhafa +4”, thotë ai.
Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kabineti i saj kanë përfunduar takimet me subjektet politike parlamentare, me të cilat është diskutuar data e zgjedhjeve lokale. Presidenca ka njoftuar se ditëve në vazhdim do të caktohet edhe data e mbajtjes së zgjedhjeve. /Telegrafi/