Iniciativa Qytetare për Obiliq, sot ka mbajtur Kuvendin e I-rë zgjedhor në të cilën është votuar për kryetar të IQO-së dhe statutin e saj nga e cila do të dalin organet e tjera drejtuese.
Për shkak të rrethanave pandemike, ky proces zgjedhor është zhvilluar duke respektuar masat antiCovid-19 dhe se delegatët e degëve kanë qenë të organizuar me grupe sipas agjendave të përcaktuara. Kuvendi zgjedhor është mbajtur nën pjesëmarrjen e 316 delegatëve nga 24 degët e IQO-së, punimet e këtij Kuvendi kanë filluar nga ora 10:00 dhe kanë përfunduar në ora 17:00.
Kordinatori i procesi të votimit, Ibush Mjekiqi, ka bërë të ditur se me gjithsej 306 vota për është aprovuar Statuti i IQO-së, ndërsa me gjithsej 309 vota për është konfirmuar se Iniciativa Qytetare për Obiliq do të udhëheqet nga kryetari Xhafer Gashi.
Kryetari i IQO-së, Xhafer Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar dhe shprehur mirënjohjen për të gjithë, delegatët e Kuvendit për pjesëmarrjen e tyre dhe mbarëvajtjen e rregulltë të këtij procesi.
“Krijimi i Iniciativës Qytetare për Obiliq, ka rrjedhë nga vetë qytetarët e Obiliqit, andaj duke qenë të hapur për gjithë qytetarët, figurat e reja, profesionistë të fushave të ndryshe, të gjithë së bashku pa dallim do vazhdojmë rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm drejt zhvillimit socio-ekonomik, përmbylljen e projekteve madhore për qytetarët e Obiliqit, avancimin e shërbimeve shëndetësore, ngritjen e cilësisë në arsim, fuqizimin e të rinjëve dhe të rejave”, tha ai.
Kryetari Gashi, ka bërë të ditur se vizioni i punës dhe angazhimit të Iniciativës Qytetare është i qartë dhe i dëshmuar dhe se projektet në Obiliq do të zgjedhen nga qytetarët, do të mbikëqyren dhe do të i gëzojnë së bashku.
“Vizioni ynë është i qartë dhe i dëshmuar, së bashku me qytetarët; “Projektet bashkë do t’i zgjedhim, bashkë do t’i mbikëqyrim dhe së bashku do t’i gëzojmë”, u shpreh Gashi, transmeton Telegrafi.