Site icon Telegrafi

Xhafer Gashi përkujton Betejën e Koshares

Në 21-vjetorin e Betejës së Koshares, kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, ka nderuar sot veprën e lavdishme të komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani dhe bashkëluftëtarëve të tij, Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahu.

Përmes një shkrimi në Facebook, Gashi ka thënë se secili përvjetor më sjellë mall e dhimbje, por krenaria e lavdisë së tyre na mban gjallë me mburrje.

“Mëngjesin e ditës së sotme, e fillova në Koshare, atje ku prehën të qetë trimat e lirisë, shokët e mi të idealit, me të cilët zhvilluam betejat më të përgjakshme duke shembur murin njëqindvjeçar shqiptaro-shqiptar të vënë padrejtësisht, duke qenë pikënisja e forcës së unitetit shqiptar. Strategjia e unitetit dhe bashkimit mbanë epitetin e Komandantit Agim Ramadani- KATANA, Sali Çekajt e Xhemajl Fetahut , shokët e miqtë e mi, për të cilët secili përvjetor më sjellë mall e dhimbje, por krenaria e lavdisë së tyre na mban gjallë me mburrje.

Heronjtë e mi. Kalojnë vite por kujtimi për ju mbetet i freskët në me ndjet tona, në kujtesën tonë historike, ju fituat pavdekësinë ndërsa Ne bashkëluftëtarët e juaj e kemi obligim që amanetin tuaj ta jetësojmë plotësisht…

Pushoni të qetë, vepra dhe lavdia e juaj do mbetet në mendjet dhe zemrat e brezave që do vijnë përjetësisht.

Lavdi heronjve të lirisë! Lavdi jetës dhe veprës të Komandantit Agim Ramadani- KATANA! Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari! Lavdi dëshmorëve të Kombit”, ka shkruar Gashi.

 

Exit mobile version