Komisioni për vlerësimin e dëmeve në bujqësi në Komunën e Obiliqit ka filluar sot punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e vërshimeve të fundit në këtë komunë.
Në një njoftim për media bëhet e ditur se Komuna e Obiliqit do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë në mënyrë që secilit qytetar të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore të ndihmohet, ku përmes Drejtorisë së Bujqësisë ka kërkuar mbështetje nga Ministria e Bujqësisë.
Vërshimet e dy ditëve të kaluara kanë shkaktuar dëme edhe në infrastrukturën rrugore dhe ndriçimin publik dhe ekipet emergjente nën udhëheqjen e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së DSHPE-së, Fitore Hashani, po qëndrojnë në terren për të identifikuar dëmet dhe sanimin e tyre në afat sa më të shpejtë kohor.
Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka falënderuar për angazhimin komisionet e formuara në këtë situatë emergjente, por njëkohësisht ai ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë qytetarëve të zonave të prekura nga vërshimet për bashkëpunimin.
Ai po ashtu ka siguruar qytetarët se asnjë qytetar nuk do të mbetet pa përkrahje institucionale. /Telegrafi/