Telegrafi

Xhaçka pret homologun grek në Tiranë: Dy vendet kanë interes për zgjidhjen me kompromis të çështjes së detit

LSA

Çështja e zonave detare, njohja e pensioneve dhe gjuha shqipe në Greqi ishin disa nga çështjet që janë diskutuar në takimin e ministres shqiptare të Jashtme Olta Xhaçka me homologun e saj grek Nikos Dendias.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimin të tyre në Tiranë, ministrja Xhaçka theksoi se të dy vendet kanë interes për zgjidhjen me kompromis të çështjes së zonave detare.

“Kemi mirëkuptim dhe për të trajtuar zgjidhje për gjithë gamën e çështjeve të vështira të trashëguara nga historia dhe një nga çështjet ishte ajo e kufizimit të zonave detare që është në interes. Të dy palët kanë vullnetin për kompromisin që do bënte të mundur referimin në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë”, tha Xhaçka.

Ministrja njoftoi se i ka paraqitur kërkesën për mbrojtje sociale dhe pensionet që të përfitojnë shqiptarët në Greqi dhe për avancimin e gjuhës shqipe në shtetin helen.

“Thellim i marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunim në fusha si mbrojtja sociale e kultura, fusha ku komuniteti shqiptar në Greqi e minoriteti grek në Shqipëri janë ura për thellimin e bashkëpunimin. Produkt i këtij diskutimi është edhe kërkesa jonë për një mbrojtje sociale apo pensionet që do të përfitojnë shqiptarët në Greqi. Diskutuam për kërkesën tonë për të avancuar ne gjuhën shqipe në Greqi”, tha Xhaçka.

Edhe ministri grek foli për çështjen e detit si dhe për ligjin e luftës.

“Diskutuam gjithashtu në nivel politik për marrëveshjen që ne kemi për një çështje shumë të rëndësishme, marrëveshjen në parim para dy vitesh që të kalojmë në një kompromis në mënyrë që të dërgojmë çështjen në Gjykatën e Hagës për kufirin. Zgjidhja e kësaj çështje dhe zgjidhja e ligjit të luftës dhe dy marrëveshjet e tjera për shmangien e episodeve në kufi dhe mirëmbajta e piramidave kufitare janë ato që do të dërgojnë një mesazh në komunitetin ndërkombëtar”, tha Dendias. /Telegrafi/