Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot në një takim Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në një konferencë për shtyp pas takimit, ministrja Xhaçka theksoi se Evropa duhet medoemos të investojë strategjikisht në rajonin tonë, pasi potenciali për konflikt në Ballkanin Perëndimor është më i larti në 20 vitet e fundit.
Sipas saj, nevojiten veprime konkrete nga ana e BE-së, duke filluar nga caktimi i një date për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare për Shqipërinë, e deri te artikulimi i një vizioni të qartë e të prekshëm integrimi për çdo vend të rajonit.
“Potenciali për konflikt në rajonin tonë, ende përpara fillimit të luftës në Ukrainë, ka qenë më i lartë se kurrë në ndonjë pikë tjetër në 20 vitet e fundit. Kriza e shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimet ndaj të gjitha shteteve që e kanë mbështetur vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, kanë rritur rrezikun e destabilizimit të disa shteteve të rajonit, ashtu siç përfshirja e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në listën e shteteve jomiqësore të Presidentit [Vladimir] Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politikën e saj të ndërhyrjes në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Xhaçka.
Nga ana tjetër, Përfaqësuesi Special Sarrazin deklaroi se mbrojtja dhe konsolidimi i BE-së si një zonë e hapur lirie dhe e të drejtës është e mundur vetëm me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Procesi i Berlinit bëri të qartë se cili është potenciali që fsheh bashkëpunimi gjithëpërfshirës i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Krijimi dhe garantimi i katër lirive themelore të BE-së në rajon është me rëndësi maksimale për mbarë rajonin”, tha ai.
“Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në BE për të gjithë rajonin janë të një rëndësie strategjike”, ka thënë Sarrazin.
Duke nënvizuar se ky është prioritet i qeverisë Gjermane, Sarrazin u ndal edhe te situata në Ukrainë.
“Agresioni i Putinit ndaj një shteti sovran në Evropë evidenton se arritjet evropiane të dekadave të fundit, jeta në një zonë të hapur lirie dhe mirëqenieje, nuk janë diçka e vetëkuptueshme, dhe se ne duhet të angazhohemi rishtas çdo ditë për mbrojtjen dhe konsolidimin e tyre,” ka shtuar ai.
Manuel Sarrazin u caktua nga qeveria gjermane gjatë muajit shkurt si Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.
Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për këtë rajon, pasi pozita e tillë nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane.
Ministrja Xhaçka e cilësoi emërimin e një të dërguari të posaçëm nga Gjermania, si një sinjal të mirëpritur vëmendjeje dhe përkushtimi ndaj rajonit. /Telegrafi/