Telegrafi

Xhaçka: Njerëz si Klodiani na bëjnë krenar!

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka mbajtur fjalimin e saj në homazhet në nder të majorit të rënë në Letoni Klodian Tanushi.

Sipas saj, është e vështirë që këtë dhimbje ta përshkruash me fjalë, por nuk është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur përkushtimin e ushtarakut model të major Klodian Tanushit.

“Në këtë dhimbje të përbashkët, jemi pranë familjes së major Tanushit, pranë babait, Basriut, nënës, Lumturijes, vëllait, Ergysit, bashkëshortes, Semihasë dhe pranë Serxhos, Klesios dhe Darlës, që humbën babain e tyre të dhimbsur e të përkushtuar, me premtimin se ata do të kenë të gjithë përkujdesjen tonë, sot e përherë që të rriten me ndjenjën e krenarisë për veprën e babait të tyre”, tha Xhacka.

“Është shumë e dhimbshme dhe e vështirë edhe për mua, që e kam njohur nga afër këtë ushtarak model dhe që shpresoja se do t’ia dilte mbanë në betejën e fortë që nisi me jetën; për veten e tij, për familjarët e të afërmit e tij, për të gjithë ju që po e nderoni sot këtu”. /Telegrafi/