Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin jo zyrtar dy ditor të Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të Ministrave të Jashtëm, i cili u mbajt në Berlin.
Ky takim i cili i paraprin samitit të NATO, në fund të muajit qershor në Madrid (Spanjë), temë kryesore kishte luftën në Ukrainë, pasojat e agresionit rus mbi sigurinë e aleancës, anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë si dhe konceptin strategjik i NATO.
Sa i takon situatës në Ukrainë, ministrja Xhaçka tha se bashkimi është çelësi i sigurisë kolektive të aleancës, ndërsa në vijim të mbështetjes që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës, bëri me dije se vendi ynë do të jetë pjesë e grupit të ri të luftimit në Bullgari.
“Të gjithë do të bëjmë gjithçka mundemi t’i japim Rusisë mesazhin e aleancës së bashkuar”, u shpreh kryediplomatja shqiptare, raporton A2 CNN.
Për të, NATO duhet të vijojë politikën e dyerve të hapura për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën e cila ndan të njëjtat vlera, si një kontribut i sigurisë së Evropës në tërësi.
Ministrja Xhaçka nënvizoi mbështetjen për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë. /Telegrafi/