Site icon Telegrafi

Xhaçka: Në 2023, forcojmë rolin proaktiv në rajon, pritet hapja e ambasadës shqiptare në Ukrainë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, derisa bëri një përmbledhje të arritjeve të Shqipërisë gjatë vitit 2022 në lidhje me marrëdhëniet me jashtë dhe në rrugën drejt integrimit europian, tregoi edhe objektivat për vitin që sapo kemi nisur.

Në një konferencë për mediat bashkë me kryenegociatoren me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhukën, Xhaçka theksoi se gjatë vitit 2023 do të forcohet edhe më tej roli proaktiv i Shqipërisë në Rajon. Ajo theksoi se Shqipëria do të marrë kryesinë e fondit për Ballkanin Perëndimor për periudhën janar-dhjetor 2023.

Ministrja shtoi se po ashtu, Shqipëria do të ndjekë procedurat për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Ballkanit të Hapur.

“Do të forcojmë rolin tonë proaktiv në Rajon. Shqipëria do të marrë kryesinë e fondit për Ballkanin Perëndimor për periudhën janar-dhjetor 2023. Do ndjekim procedurat për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit. Do të ndjekim zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Ballkanit të Hapur”, tha ajo.

Po ashtu, Xhaçka bëri të ditur se Shqipëria pritet të ketë ambasadë përfaqësimi në Ukrainë. Për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB, në vitin e fundit të mandatit si anëtare jo e përhershme, Xhaçka tha se Shqipëria do të vijojë të ndjekë dosjen e Ukrainës dhe do të vazhdojë me angazhimin e bashkëpendmbajtëse me SHBA.

“Pritet hapja e Ambasadës sonë në Ukrainë. Hapja e Ambasadës së Azerbajxhanit në vendin tonë. Viti 2023 shënon vitin e dytë dhe të fundit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë në OKB. Në shtator vendi do mbajë për herë të dytë presidencën e këtij Këshilli. Do ndjekim dosjen e Ukrainës dhe do vijojmë me angazhimin si bashkë-penmbajtës së bashku me SHBA”, deklaroi ajo.

Xhaçka nënvizoi se do punohet për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën, edhe me takime të tjera ndërqeveritare, shkruan Rtsh.

Ajo u ndal edhe te “çështja e detit”, me ç ‘rast, tha se gjatë këtij viti do të vijojë puna teknike me Greqinë për arritjen e një kompromisi në lidhje me pyetjet që do t’i dërgohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Do thellojmë bashkëpunimin edhe me takime ndërqeveritare me Kosovën dhe përfundimin e procedurave për konsullatat e përbashkëta. Do të thellohet bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut sidomos puna e përbashkët për korridorin 8. Me Italinë do të nxitet fillimi i marrëveshjes për pensionet. Do vijojë puna teknike për përgatitjen për negociatat me Greqinë për arritjen e një kompromisi mbi pyetjet që do t’i shkojnë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare. Arritja e këtij kompromisi do të bënte të mundur referimin e çështjes në gjykatë”, u shpreh Xhaçka. /Kosovapress/Telegrafi/

Exit mobile version