Site icon Telegrafi

Xhabir Zharkut i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tjerë

Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Ferizajt, Albana Ajvazi.Ajo ka thënë se kjo masë e caktuar ndaj të dyshuarit Zharku, do të vlejë deri më 5 maj të këtij viti.

Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i kësaj komune, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Ndryshe, Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij./BetimipërDrejtësi/

Exit mobile version