Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), ka futur në listën e zezë ish-kryetarin e komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, për shkak të përfshirjes së tij në veprime korruptive.
Sipas deklaratave të DASH-it, Zharku gjatë mandatit të tij si kryetar ka abuzuar me detyrën zyrtare, duke ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në proceset e prokurimit dhe duke i dhënë leje të paligjshme për ndërtime në pronat komunale me qëllim të përfitimeve personale dhe të afërmve të tij.
Zharku ishte liruar nga të gjitha akuzat nga Gjykata e Apelit në vitin 2023, e cila konfirmoi vendimin paraprak të Gjykatës së Ferizajt.
Gjykata e Ferizajt kishte hedhur poshtë aktakuzën për korrupsion, duke argumentuar se vepra kishte parashkruar.
Në bazë të aktakuzës fillestare, dyshohej se Zharku kishte lejuar ndërtimin e paligjshëm të një objekti për banim kolektiv në terrenin komunal në vitin 2008, duke shkelur procedurat e parapara ligjore për dhënien e koncesioneve. Kjo ngjarje ka përfunduar duke i shtuar Zharkut probleme të mëtejshme ligjore, pasi ai në të kaluarën është përballur me akuzat e drejtësisë kosovare për veprime të tjera penale, duke përfshirë dënimin trevjeçar në burg për detyrim dhe armëmbajtje pa leje në vitin 2011.
Ai më pas është larguar nga Kosova duke qëndruar në arrati në Suedi për pothuajse pesë vjet e gjysmë, deri në rikthimin e tij në Kosovë në vitin 2018, kur çështja ishte shpallur si parashkruar nga sistemi gjyqësor i Kosovës.
DASH-i thekson angazhimin e palëkundur të SHBA-së në mbështetjen e sundimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në Ballkan dhe më gjerë.
“DASH-i ka për qëllim të përdorë të gjitha mjete dhe autoritetet për të promovuar përgjegjshmërinë dhe për të luftuar korrupsionin në rajon dhe në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit./Telegrafi/