Xavi Hernandez ka kritikuar edhe një herë tjetër gjyqtarët e La Ligës pas fitores së Barcelonës me rezultat 3-1 në udhëtim ndaj Alavesit.
Blaugranasit arritën të arkëtojnë pikët maksimale, teksa Vitor Roque arriti që të gjejë golin e dytë me fanellën e Barcelonës duke mbyllur përfundimisht dilemën e fituesit në atë takim.
Sidoqoftë, fundi i ndeshjes ishte mjaft i ashpër për adoleshentin brazilian, ani pse ka shënuar në dy ndeshje radhazi në elitën e futbollit spanjoll.
18-vjeçari u fut në lojë në pjesën e dytë si zëvendësues, por ai luajti vetëm 13 minuta, pasi në mënyrë kontroverse mori kartonin e dytë të verdhë.
Ky vendim i gjyqtarit Juan Martinez Munuera e ka nervozuar tej mase Xavin, i cili ka thënë se Barcelona po trajtohet padrejtësisht për shkak të hetimeve që po bëhen ndaj tyre në çështjen ‘Negreira’.
“Nuk më duhet të them diçka. Ne jemi duke paguar për çështjen ‘Negreira’, ky është realiteti. Kjo është ajo që unë e ndiej. E vetmja gjë që unë kërkoj është të na lejojnë të garojmë, këtë e dua unë, nuk dua të flas për gjyqtarët përsëri”, ka thënë Xavi.
Xavi në fund kishte thënë se Barcelona do ta apelojë kartonin e Vitor Roques, por në rast se kjo kërkesë e tyre refuzohet, atëherë braziliani do të mungojë në ndeshjen e radhës ndaj Granadas në shtëpi./Telegrafi/