Barcelona është skuadra që ka shpenzuar më së shumti këtë verë për transferimin e futbollistëve të rinj.
Gjiganti katalunas ka afruar emra si Robert Lewandowski, Raphinha, Jules Kounde, Andreas Christensen dhe Franck Kessie.
Megjithatë tregu i transferimeve te katalunasit ende nuk ka përfunduar, pasi synohet afrimi edhe i dy ose tre lojtarëve të rinj.
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka paralajmëruar se mund të ndryshojë skemën e formacionit në 3-4-3 duke marrë parasysh se ka mjaftë alternativa.
Megjithatë tekniku katalunas i ka bërë me dije edhe shokut të tij, mbrojtësit Gerard Pique se mund të mbetet në bankë, pasi do të luajnë ata që e meritojnë.
“Kontributin e Piques për këtë klub e dinë të gjithë, por të gjithë nisemi nga zero dhe në fushë do të luajë kush ta meritojë”.
“Kemi bërë shumë përforcime, por presim ende të tjera, pasi duam të kemi nga dy lojtarë për çdo rol”.
“Krahas skemës tonë karakteristike, po mendoj edhe aplikimin e rreshtimit 3-4-3, që e kemi provuar disa herë sezonin e kaluar dhe mendoj se mund të jetë një variacion interesant”, deklaroi Xavi.
Barcelona ka zhvilluar gjashtë ndeshje miqësore parasezonale, ku ka marrë katër fitore dhe dy barazime duke mos pësuar në asnjë ndeshje. /Telerafi/