Legjenda e Spanjës dhe Barcelonës, Xavi ndjen keqardhje për shokun e tij, Gianluigi Buffon, pasi Italia humbi kualifikimin për në Kupën e Botës.
Azzurët u mposhtën me rezultat të përgjithshëm 1-0 nga Suedia në “Play-Off”, që do të thotë se do të mungojnë për herë të parë në 60 vitet e fundit në një Kampionat Botëror.
Buffon kishte planifikuar të luante në turne para se të varte dorezat e tij, por tani duket se ndeshja e dytë ndaj Suedisë ishte ndeshja e tij e fundit për vendin e tij dhe për këtë spanjolli Xavi ndjen keqardhje.
“Me të vërtetë është një turp”, ka thënë fillimisht Xavi për Premium Sport.
“Një Kupë e Botës pa Italinë është një gjë shumë e çuditshme dhe e rrallë, sepse nuk ka ndodhur kaq shumë vite dhe është një ekip kombëtar që shpesh ka fituar turneun”.
“Nga pikëpamja personale unë ndihem keq për Buffonin, sepse ai është një legjendë e vërtetë, një shembull për të gjithë sportistët dhe jo vetëm ata që luajnë futboll”.
“Është vërtet e trishtuar që një personalitet si ai do të përfundojë karrierën e tij me ekipin kombëtar në atë mënyrë, por ky është futboll”, përfundoi mesfushori spanjoll.
Ndryshe, pas dështimit të madh të Italisë kanë ardhur edhe largimet e shumta nga trajneri Giampiero Ventura e deri tek presidenti i Federatës, Carlo Tavecchio. /Telegrafi/